Në rrugën Maqellarë-Peshkopi, që prej mëngjesit e deri në orët e pasdites, fermerë të zonës shesin mollët e tyre direkt nga makinat ose kutitë e vendosura në anë të rrugës. Një prej tyre është Pëllumb Salli, fermer nga fshati Herebel, i Njësisë Maqellarë, në Dibër, i cili prej vitesh merret me kultivimin dhe tregtimin e mollës.
Salli thotë se çdo vit arrin të prodhojë mbi 100 kv mollë, por mungesa e një pike grumbullimi e ka vënë përballë sfidës së kalbjes së prodhimit të pashitur. Deri më tani, ai ka shitur rreth 70 kv, ndërsa pjesa tjetër rrezikon të dekompozohet. Çdo ditë, ai qëndron në rrugë me shpresë për të shitur prodhimin, por të ardhurat janë të pakta, pasi mesatarisht fiton deri në 10 mijë lekë të vjetra në ditë.
Fermerët e Dibrës përballen me vështirësi të shumta për shkak të mungesës së tregjeve të organizuara dhe konkurrencës nga importet e ardhura nga Maqedonia e Veriut. Ata apelojnë për ndihmë nga institucionet shtetërore që të krijohen pika grumbullimi dhe të sigurohet një treg më i qëndrueshëm për prodhimet vendase.
Sipas fermerit Pëllumb Salli, molla e Dibrës ka vlera unike dhe mund të krahasohet me atë të Korçës. Madje, është shumë më e mirë sesa molla maqedonase. Por shteti duhet të krijojë politika që mbrojnë prodhimin vendas dhe të lehtësojë tregtimin e mollës së Dibrës.