Vetëm një javë ka mbetur nga dita ku do të përcaktohet skuadra që do të luajë përballë ekipit të vendit të 8 të superligës për tu bërë pjesë e saj në sezonin e ardhshëm. Burreli ose Tomori do të provojnë shancin për të qenë pjesë e elitës të paktën për një sezon. Ndërkohë në kampin matjan, optimizmi është i lartë por jo sa të kalojë deri në eufori. Tekniku aktual i skuadrës së Burrelit, Renato Hoti në seancën stërvitore të të Mërkurës ju ka kërkuar djemëve që të jenë me këmbë në tokë dhe të punojnë fort për sfidën e javës së ardhshme. Hoti tha se nuk ka asnjë arsye për të mos e fituar këtë ndeshje e cila i fut ato në garën finale për të qenë pjesë e superligës në sezonin 2021 – 2022. “Kemi ardhur deri këtu me shumë punë dhe sakrifica, ndaj dhe misioni ynë nuk ka mbaruar. Ne jemi një ekip cilësor që jo vetëm kemi treguar kualitet në këto javë kampionat por kemi dhënë edhe rezultate. Ndeshja me Tomorin nuk duhet të na stepë aspak pasi të gjithë bashkë do tja dalim. Optizimi duhet të na udhëheqë dhe do të punojmë fort deri të mërkurën e ardhshme kur do të zbresim në fushë. Dua impenjim maksimal pasi suksesi vjen vetëm në këtë mënyrë. Suksesi nuk është vetëm i skuadrës, por i gjithësecilit prej jush, nesh, drejtuesve të klubit, bashkisë dhe gjithë tifozërisë tonë. Ndaj dhe do të punojmë fort që ta kalojmë edhe këtë sfidë e më pas të mendojmë për atë të radhës. Duhet dhe do tja dalim mbanë bashkarisht” – tha Hoti Pas 13 vitesh Burreli luan në zonën play off për të qenë pjesë e superligës. në vitin 2008 matjanët u luajtën kundër Teutës së Durrësit e cila luftonte për të qëndruar në ligën superiore. Ndeshja e cila u fitua nga durrsakët pati shumë polemika dhe akuza për favorizim të tyre. Pas më shumë se 1 dekade, Burreli synon të realizojë objektivin dhe i mbeten 2 sfida përpara.