Ndotja e mjedisit vijon të jetë shqetësuese në vendin tonë. Deri tani është trumbetuar si një sfidë e disa institucioneve që do të lutonin këtë fenomen. Kjo është pamja që të ofrohet në segmentin e rrugës së Arbrit, ku kalojnë qindra mjete çdo ditë.
Tonelata mbetje inerte të llojeve nga më të ndryshmet janë hedhur buzë rrugës në afërsi të Qafës së Buallit. Pamja është vërtetë e shëmtuar, pasi aty nuk janë hedhur vetëm mbeturina inerte që dalin nga ndërtimet apo rikonstruksionet që ju bëhen objekteve të ndryshme, por mes tyre ka edhe mbetje plastike.
Ndotësit e mjedisit duhet të ndëshkohen nga organet përgjegjëse për mbrojtjen e tij. Bashkia Bulqizë ka krijuar një venddepozitimi të mbetjeve të konsumit të përditshëm, por siduket nuk ka krijuar një të tillë për mbetjet inerte, ashtu siç dhe e parashikon ligji. Por edhe nëse e ka krijuar, ndaj ndotësve të tillë të natyrës, duhen marrë masa sipas dispozitave ligjore në fuqi.