Thahet liqeni i Ulzës, niveli i ujit bie në Ndrelalaj

0
31

Niveli i ujit në liqenin e Ulzës ka rënë në mënyrë drastike. Thatësira e tejzgjatur dhe mungesa e reshjeve të shiut thuajse gjatë gjithë verës, ka bërë që prurjet e lumit Mat të jenë të pakta e për pasojë të ndikojnë në uljën e nivelit të liqenit. Pamja e basenit ujor të liqenit të Ulzës nga Uraka është kjo.

Zona e Urakës, Rrethe Bazit e deri në fshatin Ndrelalaj është e mbuluar nga bimësia si dhe është kthyer në livadh. Kjo nuk është hera e parë që ky liqen merr këtë pamje, por këtë vit shkak kryesor ka qenë mungesa e reshjeve të shiut.

Burime për Mat Televizion thanë se HEC-i Ulëz ka punuar vetëm për të mbajtur pajisjet në punë dhe se nuk e ka shfrytëzuar ujin për të prodhuar energji për shitje. Megjithatë, rënia e nivelit të ujit të liqenit mund të ketë pasoja të mëdha tek peshqit që ndodhen në këtë basen.

Temperaturat e larta dhe uji i pakët në liqen rrezikojnë dëmtimin e peshqëve për shkak të ngrohjes së madhe të ujit. Specialistët e peshkimit thonë se pasojat më të mëdha janë tek peshqit e vegjël të këtij viti që kanë ardhur si rezultat i shtimit natyror, ose nga hedhja e rasatit në muajin muajt e pranverës.