Dy tërmetet që goditën fuqishëm Shqipërinë, ai i Nëntorit të vitit 2019 dhe i Shkurtit të vitit 2022, kanë bërë që banesa e familjes Keta nga fshati Xibër – Murrize i Bashkisë Klos të bëhet e pabanueshme. Megjithatë, çifti i bashkëshortëve Ali e Mine Keta vijojnë të jetojnë në banesën e cila nuk ka asnjë siguri në të. Mine Keta shprehet se të gjitha komisionet e kanë nxjerrë shtëpinë e tyre të pabanueshme, ndërsa deri tani nuk kanë mundur të ndërtojnë një shtëpi të re. Madje për katër vite, ata vetëm për një vit kanë marrë bonus qeraje. Megjithatë, kërkesa e vetme e tyre është të kenë një banesë e re, qoftë edhe një dhomë, vetëm që të kenë siguri për jetën. Muri i banesës së dëmtuar nga tërmetet në anën perëndimore është gati në shembje të plotë, ç’ka rrezikon që të dëmtohet e gjithë struktura e saj.
Ali e Mine Keta, nga fshati Xibër – Murrize i Bashkisë Klos, jetojnë në kushte tejet të vështira ekonomike pasi asnjëri prej tyre nuk janë të aftë për punë.