Erzenit u mposht këtë javë në transfertë me rezultatin 1-0 nga Burreli. Në këtë takim nuk mungoi as tensioni pasi trajneri i Erzenit, Dorian Bubeqi dhe lojtarët u përplasën me stjuartët që ishin në stadium për shkak të protestave ndaj gjyqtarëve. I ftuar në emisionin “E hëna sportive”, Bubeqi është shprehur se Burreli fitoi me një gol të shënuar në pozicion jashtë loje, ndërsa nuk kurseu as thumbimet për sjtuartët të cilët I quajti roje bashkie.
“Jemi të zhgënjyer nga ndeshja me Burrelin, sepse ishim përgatitur maksimalisht për të mos dalë pa pikë atje. Megjithatë, ashtu erdhën situatat, pësuam atë gol që unë kam dyshimet e mia”.
“Tensioni erdhi vetëm në rastin e shënimit të golit nga ana e Burrelit, asgjë tjetër. Bëmë shumë në këtë sfidë, e kishim vendosur skuadrën për të mos i lënë hapësira kundërshtarit dhe mund të them se ata bënë vetëm një goditje, që ishte jashtë porte. Më pas loja ka qënë e barabartë, nuk donim që kundërshtari të afrohej dhe ne donim ti kapnim me kundërsulm. Bëmë një shtyllë, që mund të ishte fatale për kundërshtarin”.
“Më vjen keq, sepse nëse do mundeshim ndërshmërisht, do isha i kënaqur dhe do shkoja në stërvitje ti kërkoja llogari ekipit, nuk kam çfarë të them më shumë. Ishte një pjesë e parë korrekte përsa i përket gjykimit. Në pjesën e dytë, nëse nuk kishte pozicion jashtë loje në momentin e shënimit të golit, atëherë unë i kërkoj falje. Por nëse ishte, atëherë arbitri duhet të mbajë përgjegjësi. Na pamjet, them që është 100% pozicion jashtë loje”.
“Përveç pikëve që kemi humbur në këtë ndeshje, na rrezikohet dhe vendi i katërt, sepse kemi bërë dhe ne llogaritë tona. Pikët që nuk kemi marrë fazën e parë, jemi munduar ti rikuperojmë në këtë fazë. Besoj se kemi arritur diçka, por përveç pikës, mendoj se ana morale e skuadrës është shumë më e lartë. Të mundësh Erzenin, duhen bërë shumë gjëra të tjera”.
“Momenti i tensionit? Janë moment që ekzagjerohen nga rojet e Bashkisë, sepse nuk mund të them stjuartë. Ne shkuam thjesht për të protestuar, pa ofenduar arbitrin. Ardhja e rojeve të Bashkisë, duke goditur lojtarët e mi, duke më tërhequr dhe mua, acaruan situatën. Askush nuk ka ofenduar anësorin, ishte një moment që ne po protestonim për pozicion jashtë loje. Nuk mund të vijnë aty disa persona, që nuk u takon të vijnë”.
“Ndeshja me Korabin? Është një sfidë e vështirë. Në pesë vitet e fundit, gjysmën e kam kaluar tek Shijaku dhe gjysmën tek Korabi. Në Peshkopi kam qenë si në shtëpinë time, por do mundohem të marr maksimumin e pikëve, sepse na nevojiten më shumë neve se sa atyre”.
“Futbolli nuk është jetë a vdekje. Nëse do të ishte kështu, atëherë unë do e lija trepikëshin kundërshtarit dhe do mendoja për lojtarët e mi. Asnjëherë se kam menduar një sfidë në këtë mënyrë. Kemi një ndeshje me Korabin, ata do të bëjnë punën e tyre, sepse kanë objektivat e tyre. Unë do bëj punën time sepse kam objektivat e mia dhe nëse fitojmë, me 90% jemi ne në grupin e katër të parave dhe jo Vora”.