Edhe kjo e enjte, por edhe ditët që vijnë në këtë fundjavë pritet të jenë me vlera të larta temperature. Termometri në Mat shënoi edhe sot 40 gradë Celsius, duke vijuar të jetë në vlera të larta për pozicionin gjeografik.
Apeli i mjekëve vijon të jetë për të shmangur qëndrimin në diell në pikun e vaopës që nis nga ora 11 e paradites, deri në orën 18:00 të pasdites. Mjekët dermatolog këshillojnë mbrojtje nga rrezet diellore në kohën e pikut të vapës pasi ato janë shumë të dëmshme për lëkurën. Këshilla kryesore mbetet shmangia totalisht e diellit në pikun e të nxehtit. Por nëse qëndrimi në diell për një arsye apo një tjetër është i detyrueshëm, atëherë duhet të merren masa.
Mjekët këshillojnë veshje sa më të lehtë, mbajtje të kapeles, syzeve të diellit si dhe në disa raste përdorimi i kremit mbrojtës kundër rrezeve diellore.
Ndërkohë, kjo periudhë është me risk për të gjitha grupmoshat, ndaj dhe duhet bërë kujdes shumë i madh pasi rrezet diellore në harkun 11:00 paradite deri në 18:00 pasdite janë shumë të fuqishme dhe mund të shkaktojnë djegie.
Edhe në Mat është shënuar një rast i tillë, ku një person është praqitur në spital me djegie në fytyrë si rezultat i qëndrimit të gjatë në diell ditët e fundit.