Termometri ka arritur këtë të premte vlerën më të lartë të këtij viti duke shënuar në 39 – 40 gradë Celsius.
Edhe në Mat temperatura ishte ekstreme që në orët e para të ditës duke bërë që të krijohen probleme me furnzimin me energji elektrike. Ashtu si në të gjithë vendin, ndërprerje periodike të energjisë pati edhe në Mat, por vetëm për një kohë relativisht të shkurtër.
Specialistët thanë se shkak për këtë janë bërë temperaturat e larta dhe mbingarkesa e rrjetit si pasojë e përdorimit të pajisjeve freskuese.
Rrugët e qyteteve ishin thuajse të boshatisura gjatë orëve të drekës për shkak të të nxehtit ekstrem. Ndërkohë, mjekët këshillojnë që të tregohet kujdes gjatë këtyre ditëve me ekspozimin në diell nga fëmijët, personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit.
Për këto grupe, mjekët këshillojnë që të mos dalin në diell në fashën orare nga ora 11:00 e paradites deri në orën 17:00 të pasdites. Temperaturat e larta pritet të jenë edhe gjatë fundjavës për të pësuar një ulje të vogël në fillim të javës së ardhshme.