Qarku i Dibrës vijon të jetë i mbërthyer nga acari i ditëve të fundit. Mbrëmjen e së dielës termometri ka zbritur deri në -13° C në Bulqizë e Dibër, duke krijuar ngrica të mëdha në rrugë e rrjetet e ujit të pijshëm. Bulevardi i qytetit të Bulqizës është i gjithi në akull, duke rrezikuar banorët të pësojnë fraktura pasi rrëshqain në të. Shumë fshatra janë të izoluar për shkak të akullit në rrugë. Fshatrat e njësive Administrative si Trebisht, Ostren e Martanesh, kanë probleme me rrugët të cilët në disa prej tyre janë të pakalueshme. Rruga Qaf Bualli – Krastë është e kalueshme me zinxhirë në disa segmente për shkak të prezencës së akullit. Në shumë fshatra tubacionet e ujit të pijshëm kanë ngrirë duke lënë pa furnizim me uji qindra banorë. Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu tha se situata po monitorohet nga autoritetet.

Situatë problematike paraqitet edhe në Njësitë Administrative të Dibrës si Lura, Selishta, Kala e Dodës, Zall-Dardhë, Reç etj. Banorët apelojnë prej ditësh për ndërhyrje në hapjen e rrugëve të fshatrave, pasi janë drejt izolimit të plotë. Rruga Peshkopi – Tiranë kalohet paprobleme, ndërsa Peshkopi- Kukës ka disa segmente me prani të akullit si pasojë e ujërave të rrjedhshëm që dalin në trase. Policia e Dibrës këshillon të gjithë drejtuesit e mjeteve edhe në zonat rurale të bëjnë kujdes dhe të mos lëvizin pa zinxhirë në rrugë me prezencë akulli.