Të merresh me bujqësi apo pemtari është një proces i mundimshëm, por edhe fitimprurës. Alban Ndreu nga fshati Skënderaj i Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit, prej dekadash i është përkushtuar kësaj pune. Për Albanin mund të thuash qartë se është një fermer shumëdimensional, pasi nuk është fokusuar vetëm në një kulturë. 13 vite më parë ai e nisi me kultivimin e qershisë, me të cilën thotë se siguron të ardhura të kënaqshme. Por Albani nuk u ndal me kaq, ai shfrytëoi një pjesë të madhe të tokës bujqësore e jo vetëm, duke kultivuar rrush të varieteteve të ndryshme. Edhe për këtë Albani thotë se është i kënaqur sidomos me prodhimin e nisur të këtij viti. Në 4 sera të mëdha, Albani sëbashku me nënën e tij kujdesen për domaten, kastravecin e kultura të tjera për t’i nxjerrë sa më parë në tregun e shitjes. Për shkak të ptemperaturave të ulta të Prillit, Albani tregon se këtë vit prodhimi ka nisur rreth 1 muaj me vonesë. Puna e familjes Ndreu në sektorin e bujqësisë nuk ndalet me kaq. Ata kanë shfrytëzuar çdo pëllëmbë toke për ta bjellë, me produkte vendase dhe cilësore për konsumatorin. Tregu i shitjes së këtyre produkteve është Burreli, pasi cilësia e tyre është vendase.