Të hënën Burreli vs Elbasani, Hima: Të përgatitur për tri pikë

0
13

  Të hënën e 29 janarit, ekipi i futbollit Burreli do të luajë ndeshjen e 18 të kampionatit të kategorisë së parë, ku përballë do të ketë ekipin e Elbasanit, i cili aktualisht mban vendin e parë në renditje me 39 pikë po aq sa Bylisi i vendit të dytë. Por për trajnerin e ekipit matjan, Klevis Hima kjo përballje, megjithëse do të jetë e vështirë, do të sjellë tri pikët e para për skuadrën në këtë pjesë të dytë të kampionatit. Hima tha se gjatë muajit janar janë bërë lëvizjet e nevojshme dhe se skuadra është më gati se kurrë për të nisur rezultatet e plota pozitive. Hima i dha direktivat e fundit skuadrës për t’i bërë ballë një kundërshtari të fortë si Elbasani i cili synon ngjitjen në superligë. Veç stërvitjes intensive, stafi teknik është përqendruar edhe në përcaktimin e skemave lëvizëse në fushën e gjelbërt përballë kundërshtarit që natyrisht është studiuar në ndeshjet që ka luajtur.

  Ndërkohë, sportëdashësit matjanë janë të ftuar nga ekipi për t’i mbështetur fuqishëm në këtë përballje me Elbasanin, e cila do të jetë sfida e parë e ndeshjeve në shtëpi për këtë vit kalendarik. Po ashtu, mësohet se ndeshja do të ndiqet edhe nga përfaqësues të biznesit të cilët kanë shprehur interes për privatizimin e klubit të futbollit “Burreli”.