90 – vjeçaren e çojnë në krah për të aplikuar për kartë identiteti Aplikim për një dokument biometrik bëhet i mundur vetëm në zyrat e posatçme të ngritura për këtë në të gjitha qytetet e vendit. Kjo ka bërë që të moshuarit të gjenden në vështirësi të mëdha sidomos ata në moshë relativisht madhore. Kjo është Dane Xhava nga Fushë – Bulqizë. Ajo mban 90 vite mbi supe, por është e detyruar që të paraqitet në zyrën e aplikimeve për të rinovuar letërnjoftimin e saj. Për shkak të moshës së thyer, Dane Xhava transportohet në krah nga djali i saj, pasi e ka të pamundur për tu ngjitur në katin e dytë të ndërtesës ku ndodhet zyra e aplikimeve. Djali i saj, Naimi thotë se nuk kishte asnjë mundësi tjetër për ta bërë aplikimin, vetëm të sillte nënën ndonëse në këto kushte. Vetëm në vitin 2009 kur për herë të parë u futën në vendin tonë dokumentet biometrike u bë e mundur që specialistët të shkonin nëpër banesa, ndërsa tani, aplikimet bëhen vetëm në zyra, pa marrë parasysh gjendjen fizike apo moshën e aplikantit.