Çështja e numrit të takimeve mujore për të burgosurit është shtrirë edhe në institucione të tjera të ekzekutimit të vendimeve penale në vendin tonë.
Fillimisht ishin të burgosurit që vuajnë dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel që protestuan me refuzim të ushqimit të institucionit, për rikthimin e katër takimeve në muaj siç ka qenë para pandemisë.
Kësaj kërkese ju bashkuan më shumë se 70 persona që vuajnë dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Burrel, por pas negociatave me drejtuesit e këtij institucioni, ata u bindën që kërkesat e tyre t’i kanalizonin në rrugë zyrtare.
Megjithëse ka kaluar disa ditë nga shkresat e përcjella Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe institucioneve të tjera, të burgosurit janë në pritje të përgjigjes.
Sakaq, mësohet se aktualisht është një numër shumë i vogël të dënuarish që vazhdojnë të refuzojnë ushqimin e institucionit, e megjithatë, situata është e normalizuar.
Kërkesat e të burgosurve janë dy, rritja e numrit të takimeve mujore me familjarët nga 1 në 4 dhe zgjerimi i rrethit familjar për personat me të cilët duan të takohen.