Aksi rrugor nacional Skuraj – Burrel vijon të jetë rruga më e degraduar nacionale në vendin tonë. Por si të mos mjaftonte gjendja në të cilën është katandisur kjo arterie e verilindjes, firma mirëmbajtëse vijon të tallet me të gjithë, duke bërë sikur po e mirëmban, ndonëse ka një fond të majmë prej 19.2 milion eurosh për lotin 2 me kontratën B të rajonit Qendër, lindje të Shqipërisë Tiranë dhe Dibër. I gjithë aksi është në gjendje të degraduar me çedime, shembje apo prani të gropave. Ndërsa firma “Geci & Biolip” vijojnë të tallen duke mbushur gropat si të ishte ndonjë rrugë rurale. Gropat mbushen jashtë çdo standarti, pasi asfalti hidhet dhe ngjeshet me lopat.

  Drejtuesit e automjeteve e quajnë çmenduri dhe tallje me taksat e shqiptarëve. Ata thonë se një rrugë e tillë nuk duhet të eksiztojë as në zonat e thella malore e jo më të jetë për 240 mijë banorë. Ndonëse janë taksapagues të rregullt, drejtuesit e mjeteve shprehen se paratë nuk shkojnë për investime, duke ju shkaktuar një tjetër dëm ekonomik me rrugë si kjo, pasi mjetet amortizohen shumë shpejt.

  Ekspertët rrugor shprehen se mbushja e gropave në këtë mënyrë nuk është apska efektive pasi sapo të nisin ngricat, asfalti do të hiqet sërish duke e kthyer rrugën në gjendjen e mëparshme.