Ndonëse janë në moshë fare të vogël, dy motrat binjake të moshës 8 vjeçe Steisi dhe Stela Barhani që mësojnë në shkollën 9-vjeçare “Mustafa Gjestila” të qytetit të Burrelit, kanë hapur ekspozitën e parë të tyre me punime në pikturë dhe vizatime. Janë plot 115 vepra të punuara nga dy vajzat të cilat u ekspozuan këtë të mërkurë në sallën e aktiviteve të shkollës 9-vjeçare “Mustafa Gjestila”. Në ditën e parë të ekspozitës morën pjesë mësues e nxënës të kësaj shkolle si dhe prindër e të afërm të motrave autore të ekspozitës Steisi e Stela. Fjalën e rastit e mbajti Drejtori i Shkollës 9-vjeçare “Mustafa Gjestila”, Lefter Sala, ndërsa në emër jo vetëm të Zyrës Vendore Arsimore Mat, por edhe të Ministres së Arsimit Besa Shahini, foli specialistja e Zyrës Vendore Arsimore Mat, Ermira Hajdari.
Mësuesi i Artit Figurativ, piktori Hysni Meta, duke vlerësuar talentin e dy motrave Steisi e Stela Barhani tha se në të ardhmen ata do të jenë profesioniste me emër të madh.
Më pas ishin shokët dhe shoqet e klasës që uruan motrat e vogëla piktore.
Të pranishmit në këtë ekspozitë në emër të familjes Barhani i falenderoi nëna e vajzave, Xhuljeta, e cila vlerësoi punën e secilit që ka bërë në mbështetje të talentit të vajzave të saj.
Në fund ishin vetë motrat dhe autoret e 115 veprave të ekspozuara në këtë ekspozitë të cilat falenderuan këdo që i ka mbështetur në rrugën e bukur të artit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në të njëjtat ambjente edhe gjatë gjithë ditës së enjte.