Kjo nuk do të thotë se futbollistët e Kombëtares duhet të humbasin motivimin, apo përqendrimin. Kanë për detyrë që në çdo sfidë të zbresin për të dhënë maksimumin dhe për të fituar.
Por për çfarë luan sot ekipi kombëtar kundër Moldavisë? Sigurisht që luan për ta fituar këtë ndeshje, sepse në futboll secili dëshiron të fitojë. Nuk ka rëndësi për çfarë ndeshjeje bëhet fjalë. Edhe kur luan me miqtë në futboll amator, të gjithë kërkojnë fitore.
Edi Reja sigurisht që luan edhe për një arsye të rëndësishme, për të arritur rinovimin e kontratës me Kombëtaren shqiptare për eliminatoret e Botërorit. Në nëntor do të bëhet bilanci i punës së tij dhe në rast se e mbyll në vendin e tretë, sigurisht që ka shumë shanse për të qenë ai timonieri i Shqipërisë edhe për dy vitet e ardhshme.
Të dy teknikët kanë bërë publike edhe formacionet zyrtare për këtë sfidë, teksa nuk mungojnë surprizat. Risi është aktivizimi i futbollistit të Partizanit, Lorenc Trashi nga minuta e parë, ndërkohë që shiritin e kapitenit do e mbajë Abrashi.
MOLDAVI-SHQIPËRI ORA 20:45
FORMACIONET ZYRTARE:
MOLDAVIA: Koshelev, Mudrac, Prepelita, Posmac, Graur, Reabciuk, Ionita, Anton, Cebotaru, Suvorov, Sidorenko. Trajner: Semen Altman
SHQIPËRIA: Strakosha, Veseli, Dermaku, Gjimshiti, Ismajli, Trashi, Gjasula, Bare, Abrashi, Cikalleshi, Manaj. Trajner: Edi Reja.