Që prej datës 27 mars, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur thirrjet për subvencionet në bujqësi. Skema e mbështetjes monetare është shtrirë në disa sektorë të bujqësisë e blegtorisë, ndërsa një numër i madh fermerësh janë dynduar për të aplikuar. Por ka edhe nga ata që nuk e kanë marrë mundimin për të aplikuar pasi sipas tyre vlera e mbështetjes është shumë e vogël. Baftjar Lata nga Suçi shprehet se këtë vit ende nuk i është drejtuar zyrave të ekstensionit bujqësor për të aplikuar për shkak se mbështetja është simbolike.

Ndryshe nga Lata, fermeri Bajram Këneci thotë se ka aplikuar për 1.8 hektar tokë që do ta mbjellë me kultura bujqësore të stinës. Edhe pse ka një sipërfaqe të konsiderueshme, Bajrami shprehet se kostot e punimit apo proceseve të tjera janë shumë të larta, ndaj kërkon që masa e subvensionit të rritet akoma më shumë.

Këtë vit është rritur sipërfaqja e tokës për të përfituar naftë nga shteti në minimumi 1 hektar, ndërsa favori i banorëve që kanë dokumenta për tokën është se mund të bëhen bashkë dhe të aplikojnë.