Reshjet e shiut, të nisur mëngjesin e kësaj të marte kanë krijuar probleme në rrugën e Arbrit. Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve të shiut në rrugën e Arbrit ka rënie të vazhdueshme të gurëve.

Më problematike situata paraqitet në bajpasin e Murrizit ku ka rënie gurësh si në fshatin Bastar i Mesëm të Tiranës, ashtu edhe në fshatin Murrize të Njësisë Xibër të Klosit.

Ndërkohë rënie gurësh në rrugën e Arbrit ka edhe në afërsi të tuneleve të fshatit Shkallë. Për shkak të shiut pa ndërprerje dhe me intensitetit të lartë, ka qenë e pamundur që situata të mbahet nën kontroll të plotë nga firma që mirëmban aksin.

Këshillohet që drejtuesit e mjeteve që përdorin këtë aks rrugor të tregohen shumë të kujdesshëm pasi përballen me befasi si pasojë e gurëve në rrugë. Po ashtu si pasojë e reshjeve intensive në rrugë ka prezencë të madhe të ujit.

Ndërkohë, rënie gurësh e dherash ka patur edhe në aksin tjetër nacional nga Burreli në Skuraj. Problematik në këtë rrugë vijon të mbetet segmenti i Shkopetit nga vendi i quajtur “Sektori C” deri tek tuneli i madh.