Strukturat e "Durrës Marina" ulen, IKMT kërkon ndërhyrje të menjëhershme për sigurinë
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka reaguar pas raportimeve të fundit në lidhje me problematikat e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së dy objekteve në projektin zhvillimor “Durrës Marina”.
Në një deklaratë zyrtare, IKMT bëri të ditur se, me urdhër të Kryeinspektorit, është ngritur një grup i posaçëm inspektimi për verifikimin e situatës në terren. Ky grup përbëhej nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe specialistë të Institutit të Ndërtimit.
Verifikimet u kryen në kuadër të zbatimit të lejes së ndërtimit nr. 2349/12 prot., datë 10.09.2023, të miratuar me vendim të KKT-së më 01.08.2023, për dy godina banimi dhe shërbimi në zonat A02 dhe A04, të cilat ndodhen aktualisht në fazën e punimeve të sistemimeve të jashtme.
Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit ka konstatuar se objekti 02 ka pësuar një ulje prej 28 cm, ndërsa objekti 04 një ulje prej 18 cm.
Në vijim të këtyre gjetjeve, IKMT i ka kërkuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekteve të nevojshme të përforcimit teknik, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së strukturave.
Sipas institucionit, këto ndërhyrje duhet të miratohen paraprakisht nga autoritetet përgjegjëse, për të siguruar përputhshmërinë me kushtet teknike të planifikimit dhe ndërtimit.
IKMT thekson se, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore, do të vijojë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në kantieret e ndërtimit dhe garantimin e standardeve të sigurisë.