Reshjet e shiut bllokojnë një lagje në Xibër, probleme edhe në rrugën e Arbrit
Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në fshatin Shkallë të Xibrit në Klos. Tejfryrja e zallit të Murrizit ka bërë që lagjja "Meta" të izolohet totalisht. Banorët e kësaj lagjeje e patën të pamundur të dilnin në rrugën e Arbrit pasi kanë vetëm një urë prej druri. Situata është përkeqësuar për shkak se reshjet ende vazhdojnë dhe vijon rritja e nivelit të ujit në zallin e Murrizit. Probleme pati edhe në rrugën e Arbrit ku ka prani të ujit për shkak të fryrjes së përrenjëve. Drejtuesit e mjeteve këshillohet të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në këtë rrugë për shkak të pranisë së ujit. Po ashtu, probleme pati edhe në rrugën e fshatrave Cerujë e Patin në segmentin e fshatit Pleshë. Siç duket nga pamjet shembja që kishte pësuar që vitin e kaluar është thelluar më shumë duke vënë në rrezik gjithë trasenë e kësaj rruge. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje emergjente për shkak se tashmë mundet që të shemnbet e gjitha dhe të tre fshatrat Pleshë, Patin e Cerujë të mbeten të izoluar totalisht.