Mati njihet për vlera të mëdha natyrore, ku në lëmin e bimësisë së tij, janë edhe bimë të rralla. Kjo është lulja e njohur si Narcisi poetit ngjyrë e bardhë. Ajo është një lule shumë e rrallë në Ballkan, zakonisht rritet në lartësinë 1.100 deri në 2.060 metra mbi nivelin e detit. e që në vendin tonë rritet vetëm në zonën e Matit e të Kukësit në fshatin Novosej dhe në vargmalet e Matit. Por në Mat, masivisht gjendet në Livadhet e Ketit në fshatin Xibër – Hane të Njësisë Administrative Xibër. Emri i saj në latinisht është Narcissus poeticus, ndërsa njihet edhe si lulja krenare. Ajo nuk është vetëm një lule e bukur, por emri i saj lidhet edhe me fjalën greke Narkao që do të thotë “të trullosesh”, kjo për faktin se aromës shumë të mirë që mban. Inxhinjeri i pyjeve, Abdulla Diku thotë se në këtë zonë ajo gjendet më e dendur se në të gjitha malet e tjera të Matit. Emri i lules Narcisi poetit lidhet edhe me një legjendë të greqisë së lashtë. Livadhet e Ketit që mbartin lulen e veçantë Narcisi poetit, prej vitesh tërheqin të rinjtë e zonës. Ata shfrytëzojnë periudhën e çeljes së kësaj luleje për t’i fiksuar në kamerat e aparateve të tyre celulare. Por fotografi Bajram Çeka, thotë se megjithëse për të shkuar deri aty duhet të ecësh të paktën një orë në këmbë, ai realizon videoklipe apo sete fotografish për çiftet e reja. Bajrami beson që me ndërtimin e rrugës së Arbrit, zona do të marrë zhvillim të madh në aspektin turizmit natyror. Narcisi i bardhë, është një simbol i pafajësisë dhe dëlirësisë, që kjo ngjyrë gjithashtu simbolizon edhe shpirtëroren. Nëse dëshironi t’i jepni dikujt një tufë lulesh të këndshme për t’i thënë se sa e vlerësoni atë, ajo mund të jetë buqeta e bardhë e narcisit. Vetëm sigurohuni që nuk i kaloni mesazhin e gabuar këtij personi, atë të egoizmit dhe narcizmit. Përveçse është një lule shumë e bukur dhe me aromë unike, përdoret si bimë zbukuruese, në industrinë e parfumeve. Në mjekësi nuk ka shumë përdorime aktualisht, por më parë është përsorur si anti-spazmatik, në trajtimin e epilepsisë, kollës së mirë, etheve, diarresë, dizanterisë, sëmundjet e zorrëve dhe reumatizmën. Lulja Narcisi poetit gjendet në disa hektar në Livadhet e Ketit në fshatin Xibër – Hane dhe ndodhet në lartësin afro 1300 metra mbi nivelin e detit. Dritan Kurti