Sot, 60 vite më parë mbylli sytë Mbreti Zog. Ahmet Zogu lindi më 8 Tetor 1895 dhe ndërroi jetë në 9 Prill 1961, në Francë.
Eqrem Vlora, një kundërshtar i tij, jep këtë gjykim kuptimplotë ndaj Zogut:
“…E ashtuquajtura “inteligjencie” e Shqipërisë e ka quajtur dhe e quan Ahmet Zogun injorant, i vesh atij paaftësinë për të hedhur qoftë edhe një mendim në letër pa gabime gramatikore, e qorton atë rreptë për mungesën e ndjenjës së komikes, e mban për intrigant, për njeri të dhënë pas fitimit e shumë e shumë veti të tjera edhe më të pakëndshme.
Për mua të gjitha këto qortime janë shfaqje të urrejtjes. Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme; edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe të zgjidhte probleme shumë të vështira dhe krejt të huaja për të ai rrallë gabonte, sikundër edhe qe në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe…”