Shumë fshatra po shkojnë drejt braktisjes totale për shkak të largimit masiv të banorëve të tyre në dekadat e fundit. Të njëjtin fat ka edhe fshati Sofraçan në Njësinë Administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës. Duhet të jesh me fat që në rrugët e këtij fshati të takosh ndonjë banor. Kjo sepse aty kanë mbetur vetëm 10% e familjeve që jetonin para viteve ‘90-të. Hekuran Roçi tregon se fshati Sofraçan është braktisur gradualisht dhe se shumë shtëpi janë pa asnjë banor brenda tyre. Sipas tij, nga 150 familje që kishte para viteve 90-të, sot kanë mbetur jo më shumë se 15 familje. Shkak për këtë, Hekurani shprehet se është bërë mungesa e shërbimeve më jetike për banorët, si aksesi për rrugë automobilistike, për rrjetin e ujit të pijshëm dhe sistemi vaditës.

 Edhe pse fshati Sofraçan është shumë afër rrugës nacionale Peshkopi – Bulqizë, banorët thonë se ai nuk ka marrë asnjëherë vëmendjen e duhur të autoriteteve për t’ju siguruar shërbimet më bazike.