Ky është fshati Sofraçan vetëm pak metra larg rrugës nacionale Bulqizë – Peshkopi në Njësinë Administrative Zerqan. Fshati që dikur gumuzhinte nga banorët, sot e ka kapluar një heshtje e plotë për shkak të largimit masiv të banorëve të tij. Në fshat kanë mbetur shumë pak banorë, ndërsa i vetmi i ri që takojmë është Emiliano Alla. I riu tregon se shkak i braktisjes së fshatit është mungesa e investimeve nga pushteti lokal. Edhe pse fshati ndodhet vetëm 700 metra larg rrugës nacionale, atij i mungon infrastruktura, uji i pijshëm, ai vaditës dhe energjia elektrike është me probleme të shumta. Rrugët janë gati të pakalueshme, ndërsa ujin e pijshëm ato pak banorë të mbetur aty e kanë zgjidhur privatisht.

Ndërsa një tjetër banor i fshatit Sofraçan,  Erion Hoxha, shprehet se disa herë i është kërkuar nga banorët bashkisë që të investojë në këtë fshat, por deri tani kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.

  Braktisjen e fshatit Sofraçan në Bulqizë e tregojnë më së miri ndërtesat të rrënuara apo gati në rrënim të plotë, ndërsa ato pak banorë që kanë mbetur aty mundohen të mbijetojnë me bujqësi.