Brenda pak ditësh pritet të hapen aplikimet për të përfituar nga skema kombëtare e mbështetjes së bujqësisë me vendim qeverie. Zyrat e ekstensionit bujqësor në të gjithë vendin po përgatiten për të pritur një fluks të shtuar fermerësh që do të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë. Ndërkohë, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në Tiranë që mbulon edhe Qarkun Dibër, Ilir Kaxhaja tha se nga kjo skemë përfitojnë të gjitha kategoritë e fermerëve.

Sipas tij, mbështetja më e madhe është për ato fermerë që nuk plotësojnë kriteret si individ, pasi mund të bëhen bashkë me fermer të tjerë dhe të ndajnë vlerën sipas sipërfaqes së tokës apo numrit të gjedhëve e koshereve të bletëve që kanë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Tiranë, Ilir Kaxhaja këto deklarata i bëri gjatë një takimi me fermerë të Matit, në kuadër të bashkëpunimit me Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Fushë Krujë, për analizimin e treguesve agrokimik të tokave bujqësore, ku si referencë ishte zgjedhur fusha e Shkorsës, në Suç.