Nga skema e nxjerrë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në ndihmë të fermerëve, kanë përfituar naftë falas 410 fermer në të gjithë rrethin e Matit. Drejtues të sektorit të Ekstensionit Bujqësorë në Mat, thanë se të gjithë aplikantët përfituan sasinë e naftës falas nga ministria e bujqësisë sipas sasisë së tokës të deklaruar dhe rregullave të vendosura nga kjo ministri. 410 përfituesit e kësaj skeme kanë tërhequr gjysmën e sasisë së naftës në pikat e karburantit nëpërmjet kartave që kanë marrë pasi janë shpallur fitues. Gjysmën tjetër ata do të kenë mundësinë ta tërheqin në sezonin e vjeshtës ku dhe janë për mbjellje kultura të tjera bujqësore. Skema për mbështetje me naftë falas pothuajse ka qenë gjithëpërfshirëse për të gjitha kulturat bujqësore, ndërsa fermerët duhej që tokën bujqësore ta kishin në pronësi ose me qera ku të dispononin edhe kontratën e qiradhënies. Po ashtu, aplikantët duhej që të kishin minimumi 4 dynym tokë bujqësore dhe në parcela jo më të vogëla se 1 dynym.