Në një kohë kur banorë të zonave të ndryshme në Dibër që preken direkt nga ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës protestojnë në mënyrë periodike, autoritetet nga ana tjetër vijojnë punën për ngritjen e kësaj vepre energjitike.

Tashmë ky projekt nuk është vetëm si ide, por ai është gati për tu zbatuar. Autoritetet shtetërore vijojnë t’i qëndrojnë idesë se HEC Skavica, është një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin. Drejtues të Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare kanë deklaruar se në muajin Shtator do të nisë në terren zbatimi i fazës së parë të këtij projekti madhor.

Ndërtimi i Skavicës pritet të kushtojë midis 308 dhe 510 milionë euro. Me përfundimin e këtij projekti, baseni i krijuar fut nën ujë 16 mijë hektarë tokë dhe 35 fshatra me rreth 15 mijë banorë në Bashkinë e Dibrës.

Shoqatat për mbrojtjen e luginës së Drinit të Zi por edhe banorë të zonave që preken direkt nga ky projekt i kanë bërë thirrje vazhdimisht qeverisë që të ulet me ta dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.