Ndonëse duhej të ishte një godinë model dhe e sigurtë, qendra Shëndertësore në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit po rrezikon jetën e personelit dhe banorëve që shkojnë aty për të marrë shërbim.
Pamja e kësaj godine është vërtetë e frikshme pasi të gjitha kollonat e saja mbajtëse janë të këputura çka mund të shemben nga momenti në moment. Muret e çara, tavanet e shkëputura e zhvendosja e anës veriore të saj e bën akoma edhe më të rrezikshme qëndrimin në të.
Por në mungesë të një vendi më të sigurtë, aty duhet të qëndrojnë 6 veta të personelit shëndetësore përfshirë infermierët dhe mjekun, i cili vjen nga Tirana dhe për disa ditë të javës jeton brenda ambjenteve të qendrës shëndetësore.
Edhe pamja e brendshme e qendrës është e frikshme me mure të çara, dysheme të shkatërruar e nyje sanitare jashtë funksionit.
Kjo qendër i shërben rreth 3500 banorëve të Njësisë Administrative Xibër, por që instancat përgjegjëse e kanë lënë në një gjendje të tillë prej vitesh.