Edhe pse termeometri ka shënuar afro 40 gradë celsius në ditët e fundit, fenomeni i djegies së mbeturinave në afërsi të Qafës së Buallit në Bulqizë ka vijuar. Pamja që ofrohet në këtë zonë është vërtetë trishtuese pasi tymi me kimikate nga më të ndryshme shpërndahet kudo. Mesaduket Bashkia Bulqizë e ka rikthyer këtë venddepozitim mbetjesh pasi pak muaj më parë e kishte zhvendosur në territorin e Bashkisë së Klosit rrugës që shkon për Krastë. Për specialistët djegia e mbeturinave në këtë periudhë është shumë shkatërruese e ndotëse për ekosistemin. Duke qenë se temperaturat janë shumë të larta, të gjitha kimikatet që përfitohen nga djegia e plastikës apo mbetjeve të tjera qarkullojnë normalisht në ajër, duke u bërë një burim i rrezikshëm për shëndetin e popullatës. Kjo situatë sipas specialistëve duhet ndaluar sa më parë dhe se me mbeturinat duhet të veprohet siç dhe e kërkon ligji, ku në mungesë të një landfilli, duhet të mbulohen me dhe.