Skandal mbi fshatin Plan i Bardhë, mbetje kimike hidhen në terren të hapur

Skandal mbi fshatin Plan i Bardhë, mbetje kimike hidhen në terren të hapur
foto Mat Tv

Fshati Plan i Bardhë në Bashkinë e Klosit vijon të përballet me ndotje të lartë mjedisore. Në të gjitha anët e tij ky fshat është i rrethuar nga mbeturina, pasi në anën lindore është venddepozitimi i dy bashkive Bulqizë e Klos ndërsa në anën e tjera hidhen mbetje nga individ apo subjekte biznesesh. Situata më shqetësuese mbetet në anën verilindore të fshatit ku në afërsi të Qafës së Buallit janë depozituar mbetje të rrezikshme. Veç mbeturinave të dala nga rikonstruksioni i objekteve apo ato të konsumit të përditshëm, në zonë janë hedhur edhe këto thasë letre të cilat përmbajnë pigmente inorganike sintetike të oksidit të hekurit. Sipas specialistëve ky material përdoret si pigment në bojëra, veshje, plastikë, beton etj. Të gjitha këto mbeturina që nuk dihet se nga kush janë hedhur përzihen me ujërat e fshatit Plan i Bardhë të cilin banorët e përdorin për vaditjen e të mbjellave të tyre stinore. Apeli i banorëve të fshatit Plan i Bardhë për largimin e këtyre mbeturinave dhe ndëshkimin e ndotësve ka rënë në vesh të shurdhër pasi asnjë idivid apo subjekt tregtar nuk është ndëshkuar deri tani për hedhjen pa kriter të këtyre mbetjeve që mund të konsiderohen të rrezikshme.