Ulja e ndjeshme e temperaturave në Bulqizë ka bërë që situata e krijuar nga dëbora të mbetet e vështirë sidomos për zonat e thella malore. Më problematike situata mbetet në Njësitë Administrative Ostren e Trebisht, ku ka prani të madhe të borës dhe akullit. Ndërkohë, prani të akullit ka edhe në fshatrat e njësive Zerqan, Gjoricë e Shupenzë.
Banorët e fshatit Çerenec i Sipërm dhe fshatrave të Ostrenit thonë se detyrohen të ecin në këmbë pasi rruga është e mbuluar në akull. Ata shprehen se një pjesë të rrugëve i kanë hapur vetë, ndërsa edhe në ato që kanë hapur autoritetet nuk është hedhur skorje apo kripë, duke bërë që bora të kthehet në akull.
Të tjerë banorë tregojnë se një ditë më parë janë mobilizuar të gjithë fshatçe për të hapur rrugën kryesore në Çerenec të Sipërm, pasi kishin emergjencë shëndetësore. Nga ana tjetër ata thonë se kjo borë ishte paralajmëruar nga sinoptikanët ndaj nuk duhet t’i gjente autoritetet vendore të papërgatitura, por duhej të merrnin masa.
Edhe në rrugën Ura e Çerenecit – Ostren – Librazhd kalimi bëhet me shumë vështirësi me zinxhir, e në të njëjtën situatë sipas banorëve është edhe rruga kufitare që të dërgon në Trebisht.