Situata nga zjarret në Qarkun Dibër, prefekti Shehu: është në monitorim, vetëm një vatër aktive në Ballenjë

Situata nga zjarret në Qarkun Dibër, prefekti Shehu: është në monitorim, vetëm një vatër aktive në Ballenjë

Situata nga zjarret në Qarkun Dibër është më e qetë në këtë fillim jave. Vatrat që ishin aktive në Dibër, Klos e Mat janë izoluar, ndërsa po mbahen nën monitorim për të mos u riaktivizuar për shkak se ka ende trungje të ndezura mes tyre. E vetmja vatër aktive aktualisht është ajo në Ballenjë të Martaneshit, e cila ka nisur në anën e Librazhdit dhe ka hyrë në territorin e Bulqizës. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se në terren janë dhjetra forca që po punojnë që flakët të mos avancojnë më shumë. Duke marrë shkas nga situata e krijuar nga zjarret në të gjithë territorin, Shehu ju bëri apel banorëve të mos bëhen shkak për ndezjen e zjarreve, me apo pa dashje. Qarku i Dibrës është ndër qarqet që preket më shumë nga zjarret çdo vit në vendin tonë për shkak edhe të sipërfaqes së madhe pyjore që ka.