Qarku i Dibrës është përfshirë të shtunën nga reshje të dendura dëbore duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Si pasojë, aksi rrugor në bypass Qafë Murrizë, është bllokuar herë pas here. Deri në orët e mesditës në akset Peshkopi-Maqellarë-Bulqizë dhe Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës qarkullimi i makinave bëhej me zinxhirë. Borëpastrueset kanë qenë në terren për pastrimin e të gjitha akseve rrugore kryesore. Policia ka apeluar shoferët që të mos qarkullojnë pa goma dimërore, pa mjete antirrëshqitëse dhe të tregojnë kujdes të shtuar pasi ka prezencë akulli në rrugë.

Në zona të caktuara të Bashkisë Dibër reshjet e borës janë shoqëruar me mungesë të energjisë elektrike nga difektet e krijuara në sistemin shpërndarës. Në Njësitë Administrative Maqellarë, Lure, Zall-Reç, Selishtë, Sllovë, akset kryesore kanë qenë të hapura, por rrugët e fshtrave kanë qenë të bllokuara. Reshjet e dendura të dëborës mësohet se kanë bllokuar rrugët rurale të njësive të bashkisë Bulqizë e Klos, duke lenë të izoluar shumë fshatra pasi trashësia e dëborës ka shkuar nga 35 deri në 45 centimetra. Ndërkohë mësohet se në shumë fshatra të njësive administrative Bulqizë mungon energjia për shkak të dëmtimit të linjave të tensionit të lartë dhe ato të ulët.

Në të gjithë qarkun Dibër po mbahet kontakt i vazhdueshëm me emergjencat civile, kryetarët e njësive administrative si dhe kryepleqtë e fshatrave.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër,  ka shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë në të gjitha akset rrugore urbane e rurale.

Policia e Dibrës apelon për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të mos qarkullojnë pa goma dimërore e zinxhirë dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve në terren dhe në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112.