Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve Publike të bashkisë Dibër janë në terren për të monitoruar dhe menaxhuar situatën e shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit.

Kryetari i bashkisë Dibër, Dionis Imeraj i cili tha se rruga në fshatin Radomirë u vu në funksion falë ndërhyrjes së ekipeve të bashkisë.

“Në Radomirë, Kala e Dodës, falë ndërhyrjes në kohë të shpejtë nga ekipi i bashkisë u vu në funksion rruga e bllokuar nga rrëshqitja e tokës”, tha ai.

Po ashtu, Imeraj tha se të gjitha strukturat janë në terren dhe po monitorojnë situatën e reshjeve për të hapur rrugët rurale dhe ardhur në ndihmë komunitetit.

“Ndërkohë që reshjet e dendura të shiut vijojnë prej dy ditësh, strukturat e Mbrojtjes Civile, Shërbimeve Publike, njësive administrative janë terren duke monitoruar e menaxhuar situatën sipas nevojave në çdo njësi, fshat apo lagje, ku janë shkaktuar pasoja”, tha ai.