Sinoptikanët kanë parashikuar që kjo fundjavë të shoqërohet me kushte të këqija atmosferike, duke sjellë stuhi dhe rrebeshe shiu. Nisur nga këto parashikime, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar shtyerjen e ndeshjeve të javës së trembëdhjetë të kampionatit kombëtarë të futbollit në kategorinë e parë. Po ashtu, shtyerja e takimeve përfshin edhe kategorinë e dytë, ku ndeshjet e kësaj fundjave zhvendosen në fundjavën e ardhshme. Ndërsa ato të kategorisë së parë, do të zhvillohen të Martën e ardhshme.

“Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollin dëshiron të njoftojë klubet, tifozët dhe opinionin publik se për shkak të problemeve të krijuara nga moti me reshje të shumta në të gjithë territorin e vendit, java e 11-të e Kategorisë së Dytë do të spostohet për fundjavën e ardhshme.

Gjithashtu, ndryshime ka edhe në kalendarin e Kategorisë së Parë, me ndeshjet e javës që spostohen për tu luajtur ditën e martë. Ky vendim është marrë për të ruajtur cilësinë e garës duke parë situatën e motit” – thuhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Fusha e stadiumit “Liri Ballabani” nuk shfaq probleme edhe në mot me shi, por në shumë fusha të tjera, zhvillimi i ndeshjes bëhet i pamundur në kushte të këqija atmosferike.

Burreli pret të përballet në javën e 13 me ekipin e Apolonisë së Fierit.