Megjithëse ka prani të dëborës, situata po shkon drejt përmirësimit në rrethin e Matit. Rritja e temperaturave gjatë ditës së martë ka bërë që një pjesë e madhe e dëborës të shkrijë, ndërsa qarkullimi i automjeteve në të dy bashkitë është i mundur, veç dy fshatrave në Klos. Drejtori i Infrastrukturës dhe Shërbimeve, pranë Bashkisë së Klosit, Jetmir Dedolli tha se momentalisht problem mbeten fshatrat Ketë në Njësinë Administrative Xibër dhe Mishtër në Njësinë Administrative Gurrë. Dedolli shtoi se po punohet intensivisht për të hapur qarkullimin e çdo banori në Bashkinë e Klosit. Ai shtoi se mjetet aktualisht po punojnë për hapjen e rrugës së fshatit Ketë si dhe po bëjnë kriposjen e atyre rrugëve ku ka prezencë të akullit.
Ndërkohë temperaturat e ulta pritet të na shoqërojnë gjatë gjithë javës duke bërë që situata me ngricat të mbetet thuajse e njëjtë. Fatmirësisht deri tani nuk janë raportuar emergjenca shëndetësore në zonat problematike.