Sistemi i monitorimit të pyjeve nëpërmjet vendosjes së kamerave në pikat kyçe të vendit tonë, me qëllim parandalimin e prerjes së paligjshme të pemëve, vijon të jetë i shkatërruar.
Plot 1.2 milion euro kushtoi projekti i 8 viteve më parë ku u ndërtuan në të gjithë vendin 28 kulla monitorimi, të tilla si kjo që ndodhet në fshatin Fshat të Klosit, e që u vendos aty për të monitoruar pyjet e Xibrit dhe Gurit të Bardhë.
Nëse kësaj kulle i ka mbetur konstrukti prej metali, në atë të fshatit Kloskatund nuk ka mbetur asgjë pasi është vjedhur. Çdo kullë kishte të instaluar panele diellore, dhe të paktën 7 kamera që monitoronin në 360 gradë.
Vetëm ato kulla që kanë qenë vendosur pranë banesave kanë arritur të shpëtojnë, ndërsa të tjerat janë grabitur e vjedhur, ndërkohë që askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.
Një investigim i rrjetit të gazetarëve investigative në vendin tonë, “Investigativ Network Albania”, zbuloi se ky investim nuk ishte inventarizuar nga askush pas shkrirjes së Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit në vitin 2016, duke bërë që investimi prej 1.2 milion euro të mbetej mall pa zot.
E ndërsa procedura për invetarizim ka nisur pas këtij procesi, ende kullat e vrojtimit me kamera të pyjeve janë po në këtë gjendje.