Sistemi i kamerave për monitorimin e kontrabandës në pyje është totalisht jashtë funksionit. Kullat e ngritura në pikat më problematike të vendit tonë, ose nuk funksionojnë, ose nuk ekzistojnë. Dy nga këto kulla monitorimi kanë qenë ngritur në fshatin Kloskatund dhe Fshat të Klosit. Në fshatin Kloskatund ka humbur gjithçka, pasi jo vetëm nuk ka kamera, por mungon edhe kulla metalike.
Ndërkohë, në fshatin Fshat, kulla metalike është aty, por i mungojnë 7 kamerat dhe panelet diellore. Banorë të zonës thanë jashtë kameras se kanë parë persona duke i hequr të cilët janë prezantuar si punonjës të një kompanie që i mirëmbante, ndërsa më vonë është tentuar që të vidhej edhe konstrukti metalik i kullës, por që nuk e kanë lejuar.
Nga hulumtimet e bëra, rezulton se vlera e sistemit të monitorimit të pyjeve ka qenë afro 1.2 milion euro, ku në të gjithë vendin janë ngritur 28 kulla monitorimi. Por shumë prej tyre, nuk kanë funksionuar dhe të tjera që janë zhdukur. Kostoja e një kulle monitorimi sipas të dhënave zyrtare ka shkuar në 1.3 milion lekë të rinj.