5 vite më parë u trumbetua me të madhe që vlera e siguracioneve të makinave do të ishte në bazë të historikut të automjetit, pra se sa aksidente ka shkaktuar ai, njohur ndryshe si sistemi bonus-malus. Pas pesë vitesh projektligji është dërguar në parlament, por me ndryshime. Kompanitë nuk janë të detyruara ligjërisht për ta aplikuar këtë sistem në vendin tonë, por është lënë në dëshirën e tyre. Kështu, qeveria nuk i ka detyruar kompanitë, siç ndodh në shumë vende ku aplikohet ky sistem, por si shumë çudira të tjera në vendin tonë, shteti ja lë në dorë privatit mënyrën se si duhet të trajtojë qytetarët.
Sistemi bonus-malus parashikon që kompanitë të përcaktojnë primin e sigurimit ose ndryshe çmimin e policës bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Ky sistem nënkupton se drejtuesit e mjeteve që shkaktojnë dëme mund të paguajnë prim sigurimi më të lartë, ndërsa ata drejtues që nuk shkaktojnë dëme prim më të ulët.
Ky sistem i cili është i detyrueshëm në shumë vende, ka dhënë efekt në uljen e numrit të aksidenteve rrugore, kjo për shkak të specifikave të përcaktuara siç janë penalizimi monetar.