Ky është fondi që është dhënë për mirëmbajtjen e kësaj rruge të ngjyrosur me të kuqe në tabelë. Ndonëse nuk përcaktohet gjatësia linera, por janë plot 19.2 milion euro që shteti ja ka dhënë firmës mirëmbajtëse për vetëm 5 vite.
Kontrata është lidhur në Shkurt të vitit 2017 dhe mbyllet në Shkurt të vitit 2022. Pra jemi në vitin e katërt të kontratës, e gjendja e rrugës është si mos më keq. Por për çudi, muajt e fundit është vënë re që firma nuk pastron vetëm kanalet anësore apo ferrat, por hedh edhe ndonjë lopatë asfalt duke mbushur gropat.
Në fakt Mat Televizion e ka ngritur me dhjetra herë shqetësimin e drejtuesve të mjeteve, e vetëm atëherë, firma kujtohej për të mbushur gropat.
Por kjo nuk përbën çudi pasi thjeshtë ajo po kryen detyrën të cilën e ka marrë përsipër dhe do të paguhet. Ajo që bie në sy është mbushja e shpeshtë ditët e fundit e gropave në aksin rrugor Skuraj – Burrel. edhe gjatë kësaj të enjteje punëtorët e firmës ishin në rrugë, ku mbushën disa gropa, megjithëse në pamje të parë të papërfillshme. Jashtë kameras drejtuesit e mjeteve shprehen falenderues, por gojët e liga flasin për tjetër gjë. Mësohet se këtë fundjavë në Qarkun Dibër do të jetë vetë kryeministri Edi Rama, e për të mos e lodhur shumë rruga, firma ka dalë për të mbushur gropat.