Pak muaj më parë Autoriteti Rrugor Shqiptar akordoi një fond prej 2 miliard lekësh për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugën nacionale Skuraj – Peshkopi. Në këtë investim përfshihej vendosja e barrierave mbrojtëse anësore ku siç shprehet vetë ARRSH në një përgjigje zyrtare për Mat Televizion, konsistonte në vende të rrezikshme, në kthesa ura etj. Por ndonëse investimi ka përfunduar, në këtë aks rrugor vihet re se jo në të gjitha objektet që përmend Autoriteti Rrugor Shqiptar janë vendosur barrierat. I tillë është rasti i urës së njohur si Ura e Karicës në segmentin e rrugës nacionale Burrel – Skuraj. Në këtë urë jo vetëm që nuk janë vendosur mbrojtëse metalike, por edhe ato prej betoni mungojnë. Drejtuesit e mjeteve e banorë të zonës shprehen se në rrugë nuk ka siguri jo vetëm në rast aksidenti, por as për këmbësorët.
Vedosja e barrierave metalike në këtë aks rrugor u bë më së shumti në segmentin e Shkopetit, ndërsa në pjesë të tjera u vendosën shumë pak, duke bërë që siguria e lëvizjes në këtë rrugë të jetë e vogël.