Shkatërrimi i përgjimeve ambientale nga Policia e Shtetit dëmtoi një hetim të Prokurorisë së Fierit për të zbuluar se kush ishin pronarët e një parcele të madhe me mijëra bimë kanabisi, e zbuluar në Mallakastër në verën e vitit 2016. Më 28 korrik 2016, forcat e policisë së komisariatit të Mallakastrës ndërmorën një operacion antidrogë në fshatin Aranitas, pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Në mes të një pylli në vendin e quajtur ‘Përroi i Çekut’, polica zbuloi një zonë të shpyllëzuar rishtazi, e cila ishte mbjellë me 4000 bimë ‘cannabis sativa.’ Bimët e kanabisit ishin mbjellë dhe punuar në rrënjët e tyre, ndërkohë që ato ujiteshin nëpërmjet një tubacioni, që e merrte ujin nga një përrua në afërsi të vendit ku ato ishin kultivuar.
Në cepin perëndimor të sipërfaqes ku ishin kultivuar bimët e kanabisit ndodhej një tendë me konstrukt druri e mbuluar me plastmas, në të cilën ishin hapur për t’u tharë rreth 1500 degë të prera kanabisi dhe në afërsi të saj rreth 300 degë të tjera.
Brenda tendës policia gjeti asokohe duke fjetur tre të dyshuar, të cilët pasi u ndaluan, u transferuan në komisariatin e Mallakastrës. Me qëllim zbulimin e pronarëve të parcelës së kanabisit – me urdhër verbal të prokurores së Rrethit Gjyqësor Fier, Elida Hoxhaj, tre të dyshuarit e ndaluar në fshatin Aranitas janë vënë nën përgjim. Por përgjimet e bisedave midis të ndaluarve në qelitë e paraburgimit u shkatërruan një ditë më vonë nga oficerët e policisë së Mallakastrës, të cilët vlerësuan se përgjimi nuk përmbante të dhëna të vlefshme hetimore.
Vlerësimi i bërë nga oficerët e policisë është cilësuar si i paligjshëm nga prokurorja e çështjes, e cila i kallëzoi oficerët penalisht për shpërdorim detyre. Të vendosur nën hetim nga Prokuroria e Fierit, 4 oficerët e kallëzuar u mbrojtën me një urdhër sekret të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili i jepte të drejtë policisë të shkatërronte përgjimet ambientale nëse autorizimi me shkrim nga prokurori nuk shkonte brenda 24 orësh.
Veprimet e oficerëve dhe urdhri i Çakos janë cilësuar si të paligjshëm nga gjykata dhe prokuroria, e megjithatë, organi i akuzës i pushoi akuzat ndaj 4 policëve, duke arsyetuar se ata nuk mund të vlerësonin ligjshmërinë e urdhrit të eprorit të tyre. Gjatë vitit 2016 në Shqipëri u konstatua një masivizim i kultivimit të bimëve narkotike të llojit ‘cannabis sativa’ në gjithë territorin e vendit. Në raportin vjetor mbi luftën ndërkombëtare kundër drogës të Departamentit amerikan të Shtetit vërehej se në Shqipëri gjatë vitit 2016, sipërfaqja e kultivuar me kanabis ishte shtuar me pesë herë në krahasim me vitin paraardhës. Sipas raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2016 ka pasur 1606 procedime penale për veprën penale “kultivim i bimëve narkotike” me 380 të pandehur të dërguar për gjykim. Ajo cka e bëri edhe më alarmante këtë situatë, ishte përfshirja e policisë së shtetit në kultivimin e kanabisit në mbarë vendin.
PERGJIMET E OPERACIONIT
Urdhri sekret i kryepolicit Çako per kultivimin e kanabisit
Kush i shkaterroi pergjimet per hetimet e fushes se kanabisit?
Policia e perfshire ne kultivimin e droges ne te gjithe vendin
Si u dekonspirua aksioni ne Mallkaster per kapjen e droges?