Me datë 11 Shkurt përfundon kontrata e mirëmbajtjes së rrugës Skuraj – Burrel – Peshkopi, gjë e cila tregohet edhe në tabelën informuese të vendosur në fshatin Skuraj. Siç shihet kontrata ka nisur me 11 Shkurt të vitit 2017 me afat 60 muaj. Fondi për mirëmbajtjen e kësaj rruge është dhënë nga shteti shqiptar dhe Banka Botërore për Ndërtim dhe Zhvillim. Autoritetet e kanë emërtuar si projekti i mirëmbajtjes dhe sigurisë rrugore bazuar në rezultate, Loti 2 kontrata B Rajoni Qendër – Verilindje të Shqipërisë. Vlera ka qenë 19.2 milion euro. Por në të vërtetë gjatë këtyre viteve kjo rrugë nuk ka njohur përmirësim, por vetëm degradim. Gjendja e saj është si mos më keq. Firmat “Geci dhe Bioliap” janë kujdesur vetëm për pastrimin e kanaleve. Gropat e shfaqura në rrugë janë mbushur për një periudhë 5 vjeçare jo më shumë se tre herë dhe kjo jo me standartet e kërkuara, duke bërë që gropat të riktheheshin po ato.
Po gjatë këtyre viteve, investimi më i madh që është bërë në këtë aks, ka qenë ai i barrierave metalike, por fondi i saj ka qenë jo mëvete e jo tek ai i mirëmbajtjes. Drejtuesit e mjeteve vijojn ta quajnë skandaloze gjendjen e aksit.
Mat Televizion i ka kërkuar informacion edhe Autoritetit Rrugor Shqiptar në lidhje me kushtet e kontratës, por kjo e fundit nuk është vendosur në dispozicion nga ana e ARRSH. Ndërkohë që ne do t’i drejtohemi instancave të tjera për të kërkuar kontratën e mirëmbajtjes dhe situacionet e punimeve që janë kryer për këto 5 vite në këtë rrugë.