Fshati Shkopet prej më shumë se 10 vitesh vuan mungesën e një ure që i lidhte ato me rrugën nacionale. Në një dekada as pushteti qëndror e as ai vendor nuk u kujtuan për këta banorë për tjua zgjidhur këtë problem. Një pjesë e tyre u detyruan të braktisin banesat dhe të jetojnë në afërsi të rrugës nacionale në banesa me qera. Por disa familje ende nuk i kanë braktisur trojet e tyre. Ata vazhdojnë të jetojnë po atje, ndonëse duhet të rrezikojnë jetën teksa kalojnë nga njëra anë e lumit në tjetrën.
Që prej 3 Dhjetorit të vitit 2010, këta banorë kanë improvizuar me fuçia mjete lundruese për të kaluar nga banesat e tyre në rrugën nacionale dhe anasjelltas, por prej disa ditësh ata kanë mbetur në izolim të plotë. Uji i rrëmbyeshëm i lumit Mat për shkak të shirave apo shkarkimeve të HEC-it të Shkopetit, e ka bërë të pamundur që banorët të kalojnë mbi këto mjete lundruese.
Jashtë kameras banorët thanë se tashmë nuk kanë asnjë shpresë që pushteti vendor apo qeveria të kujtohet për ta dhe tju rikthejë urën e dëmtuar 1 dekadë më parë.