I ftuar në emisionin ‘Pushteti’ në televizionin Faxnews, drejtuesi politik i qarkurt Shkodër nga kampi socialist, Ilir Beqja, ka deklaruar pritshmëritë e Partisë Socialiste për veriun në zgjedhjet e 25 Prillit.
Beqja theksoi se Partia Socialiste në Shkodër do të arrijë të kapë objektivin bazë që është 4 mandate.
Duke bërë një analizë të situatës politike, Beqja deklaroi se PS pritet të fitojë në Dibër, dhe të ketë një rritje në qarkun e Kukësit por pa e ndryshuar rezultatin 2-1 në favor të kundërshtarëve.
“E gjithë skuadra jemi në terren, deri tani fushata ka ecur normalisht. Besoj se komunikimet janë të hapura, të sinqerta dhe të drejtpërdrejta, të vogla në numër në terren, por me numra më të mëdhenj online si pasojë e pandemisë. Unë besoj se në Shkodër do të arrijmë objektivin bazë që është 4 mandate.
Unë gjithashtu besoj se situata në Dibër është goxha pozitive për ne, aty mandatet kanë rënë nga 6 në 5. ‘Rruga e Arbërit’ do të japë efektin e vetë dhe unë parashikoj një fitore në Dibër. Në Kukës nuk presim ndonjë ndryshim nga 2 me 1.
Unë duke qenë drejtues politik i qarkut Shkodër për atë çfarë kam marr nga PS-ja duhet që të sigurojë objektivin bazë prej 4 mandatesh, pavarësisht sa vota merr njëri apo tjetri.
Të vetmit aleatë në këto zgjedhje ne kemi socialistët dhe mbështetësit tanë. Nuk na duhet të bëjmë koalicione parazgjedhore për të arritur fitoren e Partisë Socialiste. Gjykojmë se ja dalim të përballojmë të vetëm këtë garë elektorale në Shkodër”, deklaroi Beqja.