Banorët e dy lagjeve “Jakim” dhe “Suti” të fshatit Buçevë, në Shupenzë të Bashkisë Bulqizë, nuk kanë patur ujë vaditës as në kohën e monizmit dhe as në kohën e tranzicionit 34-vjeçar që po kalojmë. Një banor i zonës shprehet se uji vaditës këtu ka munguar historikisht, pasi gjenden në një territor pa burime ujore. Në këto kushte banorët e këtyre dy lagjeve janë të orientuar drejt vreshtarisë e pemtarisë, duke mbjellë qershi, mollë e arra. Por nga pamjet filmike edhe pemtaria këtu është drejt degradimit, pasi në mungesë të ujit, ato po shkojnë drejt tharjes.
Banorët e dy lagjeve “Jakim” dhe “Suti” të fshatit Buçevë, kërkojnë nga pushteti vendor të ndërhyjnë për vendosjen e një pompe për vaditje, pasi poshtë fshatit kalon vija e ujit vaditës për fshatra të tjerë. Nëse kjo do të realizohej banorët thonë se do të punojnë të gjitha tokat e lëna djerrë, duke i mbjellë me misër, fasule, etj.