Banorët e fshatit Shulbatërr në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit tashmë do të kenë një rrugë lehtësisht të kalueshme për çdo lloj mjeti. Rruga e këtij fshati që nis nga rruga kryesore e njësisë e deri tek kullat të shpallura monument kulture, ishte kthyer në problem për banorët.
Vetëm një pjesë shumë e vogël e rrugës ishte shtruar që kur ishte komuna Gurrë. Ndërkohë Bashkia Klos ka nisur punën prej ditësh për shtrimin edhe të pjesës së mbetur të rrugës. Banorët thonë se tashmë problemi i rrugës së tyre do të marrë fund. Sakaq, Kryetari i Bashkisë Klos, Basir Çupa tha se Bashkia ka ndërhyrë në të gjithë ato segmente që kanë qenë problematike në shumë fshatra, kur shtrimi i herëpashershëm me zhavor nuk e zgjidhte problematikën. Sipas Çupës, mënyra më e mirë që rrugët të ishin gjatë gjithë vitit funksionale ishte shtrimi me beton i segmenteve të vështira.