Fëmijët e fshatit Shulbatërr në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit tashmë nuk do të jenë të rrezikuar nga rryma elektrike e kabinës së këtij fshati. Pas apelit të ngritur në Mat Tv nga banorët e Shulbatrrës, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë të mundur vendosjen e dyerve, duke siguruar kështu këtë kabinë e cila përbënte rrezik për fëmijët të cilët luanin aty pranë. Për këtë banorët shprehen të kënaqur dhe se problemi i tyre më në fund u zgjidh. Ata shprehen se do të jenë vetë ata tani që do ta ruajnë, për të mos u kthyer sërisht në një rrezik serioz për fëmijët. Dera e hapur e kësaj kabine elektrike kishte bërë që jo vetëm fëmijët të ishin në rrezik, por disa kafshë të ngordhnin brenda pasi binin në kontakt me rrymën elektrike.