Disa nga pjesët më të dëmtuara të rrugës nacionale Burrel – Skuraj janë rehabilituar totalisht nga firma mirëmbajtëse. Bëhet fjalë për disa zona ku rruga kishte pësuar deformime të mëdha si pasojë e uljes së tokës.

Deri tani, ndërhyrjet janë bërë në afërsi të ish bazës së asfaltit në dalje të qytetit të Burrelit, në katër pika nga ura e Karicës në drejtim të fshatit Baz dhe në fshatin Bushkash.

Përfaqësues të firmës mirëmbajtëse thanë se ndërhyrja është bërë në një gjatësi lineare prej afro 1 kilometër ku rehabilitimi ka përfshirë edhe nënshtresat e rrugës.

Rruga në fjalë vijon të mbetet problematike pasi ka nevojë për më shumë investim. Vazhdimisht drejtuesit e automjeteve që e përdorin këtë aks rrugor kanë kërkuar një rehabilitim të plotë të paktën të segmentit nga Burreli deri tek ura e Ulzës i cili është kthyer në një gangrenë të madhe si rezultat i gropave të shumta dhe pjesëve të deformuara ndër vite.

Megjithëse ka rënë trafiku i automjeteve në këtë rrugë për shkak të hapjes së rrugës së Arbrit, ajo mbetet një arterie e rëndësishme për lidhjen e verilindjes me veriperëndimin e vendit si dhe me Kosovën.