Herët apo vonë të gjitha mbeturinat që hidhen në ambjent të hapur përfundojnë në lum.
Kjo është panorama që gjen në të gjithë shtratin e Lumit Mat, poshtë fshatit Suç në Bashkinë e Klosit. Bimësia në shtratin e lumit duket si e dekoruar me mbeturina të ngecura aty.

Gjatë muajve të verës lumi përdoret nga banorët për të bërë plazh. Gentian Gjini, banor i fshatit Suç thotë se vitet e fundit, jo vetëm të rinjtë, por edhe familjarë e frekuentonin lumin për tu freskuar gjatë orëve të drekës. Madje, turistë të ndryshëm bënin kanoe, por imazhi i krijuar nga mbeturinat, ju ka lënë shije të hidhur.

Gentian thotë se nëse në fshat lart vendosen kontenierët e mbeturinave, atëherë problem i ndotjes së lumit do të zgjidhet. Ai kërkon nga pushteti vendor që të vendosë kontenierët, në mënyrë që të ndalet ndotja mjedisore.

Gjatë zbatimit të këtij projekti, grupi i punës bashkëpunoi me drejtuesit Zyrës Vendore Arsimore Klos dhe ato të Shkollës së Mesme të Bashkuar Suç, duke organizuar takim me nxënësit dhe një aksion vulllnetar për pastrimin e mbeturinave, duke përcjellë dhe mesazhin për një fshat të pastër.
Ndërkohë, një lajm i mirë për banorët e Suçit vjen nga Bashkia e Klosit. Zëvendëskryetari i kësaj bashkie, Armand Gjinaj shprehet se është njohur me projektin “Advokaci komunitare” që po zbatohet në Suç dhe se është planifikuar që fshati Suç të përfshihet në sipërfaqen e grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturinave.

Zgjidhja e problemit të ndotjes në fshatit Suç, po kërkohet nëpërmjet zbatimit të projektit “Advokaci komunitare”, financuar nga LevizAlbania, një projekt i Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.